Latifi: Ramabaja luftën e ka parë vetëm në televizor

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Latifi tha se Sadri Ramabaja luftën e ka parë vetëm në televizor, përcjell Shqip.com.
Këto deklarata Latifi bëri në drejtim të Ramabajës pasi që nuk u pajtua me disa deklarata të këtij të fundit lidhur me luftën në Kosovë.
“Po e tregoj një detaj se si kanë qenë ngjarjet konkrete dhe si e keni parë ju prej terrenit. Ka qenë korriku i vitit 1998, unë kam qenë në fshat në Prekaz. Prej Moknës, është maja e Moknës atje, e gjuajshin Likocin me raketa, e bombardojshin. E Sadriu po na thotë kush u dashtë me qenë në atë kohë këtu, kush u dashtë me qenë aty”, tha Latifi në T7.
Ndryshe, teksa tregoi për mobilizimin e UÇK-së, Latifi tha se në fund të vitit 1997, ishin vetëm 45 ushtarë.
“Kur ka ndodhur beteja e parë e UÇK’së në fshatin Llaushë në nëntor të vitit 1997 ku grupi i Adem Jasharit është konfrontuar për herë të parë hapur me njësitë policore serbe, unë isha student dhe kam shkuar në varrimin e mësuesit që u vra.
Kam pasur informatë nga njerëz të grupit të Adem Jasharit që thotë se: Na ja kemi nis por jemi pak. Në krejt Kosovën në fund të vitit 1997 kanë qenë 45 deri në 50 ushtarë”, shtoi Latifi./SHQIP.com