Lajme

Latifi: Është bërë një punë heroike në luftimin e pandemisë në Kosovë

Mungesa e anesteziologëve dhe mungesa e mjekësve po konsiderohet se ka vështirësuar punën në institucionet shëndetësore sa i përket trajtimit të pacientëve të prekur me COVID-19.  Mirëpo ata të cilët udhëheqin me shëndetësinë kosovare janë të kënaqur me punën e punonjësve shëndetësor pavarësisht mungesës së stafit.

Kurse opozita ka vënë theksin tek pacientët të cilët janë detyruar që të shpenzojnë nga xhepat e tyre për të blerë barnat.

Sipas tyre ka shumë pacientë të cilët nuk u janë mbuluar shpenzimet.

Këto diskutime janë bërë në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike ku është shqyrtuar raporti i auditimit të performancës “Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore” dhe “Optimizimi i resurseve njerëzore dhe pajisjeve teknike mjekësore për ‘iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19”.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami deklaroi se gjatë pandemisë institucionet shëndetësore janë përballur me mungesë të barnave duke i detyruar pacientët që t’i blejnë vetë ato..

“Gjetjet e auditorit nuk janë edhe aq të mira. Kemi vërejtur se gjatë gjithë kohës së pandemisë institucionet që kanë trajtuar pacientët më Covid janë përballur me mungesë të barnave. Gjetje jo e pranueshme ose që është me sekuenca negative është qe pacientët që janë trajtuar në spitale është dashur me ble barna nga lista esenciale. Institucionet tona është dashur t’i sigurojnë barna pacientëve”, tha ajo.

Mirëpo ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi deklaroi se asnjë vend i botës nuk ishte përgatitur për  këtë epidemi. 

Ai ka thënë se puna që është bërë në Kosovë në menaxhimin e pandemisë është heroike.

Thotë se në Kosovë është arritur që të vaksinohet 70 përqind e popullatës gjersa niveli i vdekshmërisë është më i ulëti në rajon.

“Ne kemi sistemin shëndetësorë të brishtë. Tash na vjen një fatkeqësi e madhe ku na vdesin njerëzit përreth. Ne s’kemi anesteziolog sa duhet. nuk kemi mjek sa duhet me u përkujdes për të sëmurit e intubuar. Rezultatet po tregojnë se si jemi. Rezultatin më të ulët në rajon të vdekshmërisë dhe mjekësinë më të brishtë në rajon. Mjekët tanë e laborantët dhe gjithë të tjerët mendoj se kanë bërë punë heroike. Ne duhet me bë një analizë edhe pas qershorit edhe deri në fund”, ka thënë Latifi.

E drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, deklaron se nuk janë pajtuar me disa nga gjetjet e auditorit. “

“Publikimi i këtij raporti është i vonuar sepse ka pasur diskutime të shumta dhe ia kemi bërë të qartë auditimit që nuk jemi pajtuar me të gjeturat. Sa i përket furnizimit me barna dhe material shpenzues. Ky furnizim është bërë gjatë vitit 2021 dhe kemi bërë kontrollimin e stokut farmaceutik. Unë kam marr detyrën kur ka shpërthyer vala e Covid-19. Disa nga barnat janë jashtë listës esenciale” ka thënë ai.

Deputeti i PDK, Bekim Haxhiu, tha se Ligji për luftimin e pandemisë obligon institucioneve që pacientëve t’u mbulohen shpenzimet. Për këtë, ai tha se ka shumë pacient që nuk i’u janë mbuluar shpenzimet.

“Ligji për luftimin e pandemisë obligon pacientëve t’u mbulohen shpenzimet. Ka shumë pacient që nuk i’u janë mbuluar shpenzimet. Pacientet e marrin Rendesivirin por na figuron se në vitin 2020 nuk kemi pasur të regjistruar në doganë, qysh ka hyrë në vitin 2020, në Kosovë”, tha ai. /Shqip.com