Lajme

Largohen edhe 51 shtetas afganë nga Kosova

Refugjatët afganë

51 refugjatë të Afganistanit që kanë qëndruar përkohësisht në Kosovë janë larguar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmi është kumtuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Lexo edhe:
Hoti për qasjen në gaz: Gjatë qeverive të LDK-së nuk kishim dilema për bashkëpunimin me SHBA-të

“Sapo u përshëndetëm me 51 qytetarë afganë, të cilët i strehuam përkohësisht për disa javë në Republikën e Kosovës. Si pjesë e marrëveshjes me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ata do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për një jetë më sigurt dhe më të mirë në SHBA”, ka shkruar Sveçla.

“Qeveria e Kosovës, bashkë me NATO-n dhe Qeverinë e SHBA-ve, do të vazhdojë bashkëpunimin edhe më tutje, për të realizuar me sukses transferimin e qytetarëve afganë nga Kosova për në vendet e tjera”.

“Jemi të përkushtuar për një shoqëri demokratike dhe që bashkë me aleatët tanë të ndihmojnë në ndërtimin e paqes dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”.

Kosova i kishte pranuar këta refugjatë pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo pasi, pas ardhjes në pushtet të talebanëve ishte rritur dyshimi se bashkëpunëtorët e Amerikës në Afganistan do të persekutohen nga grupi militant. /Shqip.com