Lambrecht: Gjermania e mbështet anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO

Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht ka thënë se Gjermania e mbështet rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Gjermania e ka qartësuar se e mbështet rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO. Në këtë rrugë duhet të ecet dhe mund të ketë edhe pengesa, por ne e mbështesim këtë rrugë. Sa i përket rrugës drejt anëtarësimit në BE, ne po mundohemi ta bëjmë këtë përmes procesit të Berlinit, ndërsa sa i përket anëtarësimit në NATO, ne e mbështesim Kosovën në këtë proces andaj edhe kemi angazhime këtu e trajnime. Por, duhet të kemi parasysh se ka procedura dhe kushte që duhet përmbushur për t’u anëtarësuar në NATO”, ka deklaruar Lambrecht.
Ministrja gjermane ka theksuar se Gjermania do të vazhdojë angazhimin e saj edhe në fushën e sigurisë në Kosovë, duke dhënë kështu mbështetjen e tyre edhe për trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Theksojmë se Lambrecht, mbërriti në Kosovë në pasditën e së enjtes për t’u takuar me kryeministrin Kurti.
Paraprakisht ajo ka vizituar Serbinë, ku është takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq.
Në Serbi, Lambrecht deklaroi se Gjermania nuk dëshiron që Ballkani Perëndimor të destabilizohet, derisa shtoi se bisedimet duhet të zhvillohen./Shqip.com