Lirohet Dritan Goxhaj, refuzohet kërkesa e Speciales për ekstradim në Hagë

Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj është liruar nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Vendimi konfirmohet nga burime të besueshme për Shqip.com. Gjykata e Apelit ka refuzuar kështu kërkesën e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, për të ekstraduar Goxhajn.
Nga ky moment, Dritan Goxhaj rifiton lirinë.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Genc Shala, i cili ka vendosur refuzimin e ekstradimit dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm.
Avokati Ardjan Visha apeloi vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila me vendimin e saj disa javë më parë, pranoi ekstradimin.
Në seancën e sotme bëhet me dije se ka qenë i pranishëm edhe vetë Goxhaj. Gjykata e Apelit ka pranuar argumentat e mbrojtjes dhe si rrjedhojë ka lënë të lirë Goxhajn.
Njoftimi i Gjykatës së Apelit
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit ndaj shtetasit me iniciale D.G, nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë,me vendimin nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, ka vendosur:
– Pranimin e kërkesës .
– Lejimin e ekstradimit të shtetasit shqiptar D.G nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga shtetasi me iniciale D.G, i cili kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë, deklarimin e pafajshëm dhe moslejimin e ekstradimit nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).
Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 10.10.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi:
–Ndryshimin e vendimit Nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
– Rrezimin e kerkeses per ekstradimin e shtetasit D.G nga Republika e Shqiperise ne Republiken e Kosoves.
– Heqjen e mases se sigurimit “arrest ne burg “, per shtetasin D.G, caktuar me vendimin Nr. 1123 Akti, date 20.07.2023 te Gjykates se Shkalles se Pare te Juridiksionit te Pergjithshem Tirane.
-Urdherohet lirirmi i shtetasit Dritan Goxhaj, nese nuk mbahet per ndonje veper tjeter penale .
Tiranë, 10.10.2023
GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM
Pse u arrestua Dritan Goxhaj
Në 31 korrik, Policia e Tiranës arrestoi ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj. Arrestimi i tij u bë në mënyrë të menjëhershme dhe iu komunikua në gjykatë masa e “arrestit në burg”. Urdhrin për arrestimin e Goxhajt e kishte dhënë Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë dhe akuza ishte e njëjta si edhe për pjesën dërrmuese të të ndaluarve nga kjo gjykatë, ish-drejtues të UÇK: “për frikësim dhe pengim të personave zyrtarë të përfshirë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”.
Gjykata Speciale ngriti akuzë ndaj Dritan Goxhajt për shkak të një artikulli në media nga ana e tij, për dëshmitarët e Hagës ku theksonte se një prej këtyre dëshmitarëve është Altin Raxhimi, gazetar i BIRN, që është bashkëautor i shkrimit për “Shtëpinë e verdhë” që u përdor më pas nga Carla del Ponte dhe Dick Marty për ngritjen e akuzave për UÇK-në.
Sipas tij, shkrimi i BIRN për trafikun e organeve ishte porositur nga Beogradi dhe se gazetari kishte përfituar azil politik në Kanada, pas këtij publikimi.
Dritan Goxhaj, nga Fieri, iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me babain e tij, Dilaver Goxhaj në vitin 1999.
Përpara Dritan Goxhajt dhe Sabit Januzit, në Gjykatën e Hagës kanë shkuar edhe komandantët e luftës si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të cilët vijojnë të jenë në qeli.
Artikulli për të cilin u akuzua Dritan Goxhaj
/Shqip.com