Lajçak: Ura duhet të hapet, por në koordinim, marrëveshja duhet të implementohet
Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se ura kryesori mbi lumin Ibër duhet të hapet, mirëpo në momentin e duhur dhe në koordinim me aleatët.
“Diskutuam çështjen e Urës së Ibrit dhe hapjen e saj për transport. Qëndrimi i BE-së është i mirënjohur, duhet të hapet por hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Lajçak.
Lajçak e kualifikoi si urgjente zhbllokimin e impelementimit të marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
Ai tha se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, dhe se BE-ja po punon që i gjithë procesi të përshpejtohet.
Pas takimit në Qeveri, ai ka bërë të ditur se do të ketë edhe një takim në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk ka dashur ta bëjë të ditur datën.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu, atje që nuk ndihmojnë fare. Por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.
“Jemi marrë vesh për një datë për takim, por nuk dua ta bëj të ditur”, ka thënë ai, për një takim mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut.Ndërsa, për paralajmërimin e bllokimit të disa pikave kufitare nga serbët gjatë ditës së sotme për shkak të mbylljes së strukturave paralele në veri nga Policia e Kosovës, Lajçaku shpreson të mos ketë bllokime pasi “nuk ka arsye”.
/Shqip.com