Lajme

Lajçak pas takimit me Bislimin e Petkoviqin: Ka ende shumë punë për të bërë

I dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

I dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak, ka përfunduar takimet me delegacionin e Kosovës dhe Serbisë, ku më pas tha se “ende ka shumë punë për të bërë.”

Delegacioni nga Prishtina në Bruksel kryesohej nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa ai i Beogradit nga drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq.

 “Sapo përfundova dy ditë të diskutimeve të gjera dhe të thella me dy Kryenegociatorët dhe ekipet e tyre mbi gamën e plotë të elementeve të Dialogut – marrëveshjet e kaluara, çështjet aktuale dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Në fund të korrikut është paraparë një takim i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Bashkimi Evropian po kërkon që të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, divergjencat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbi përmbajtjen e marrëveshjes ende janë të thella. /Shqip.com