Lajme

Lajçak pas takimeve dyditëshe në Bruksel: Pozicionet e palëve shumë larg

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi takohet me përfaqësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, në Bruksel

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, thotë se megjithë takimet e zhvilluara në dy ditët e fundit, palët ende mbesin larg sa i përket pozicioneve, transmeton Shqip.com.

Ai thotë se pozicionet për një sërë çështjesh urgjente mbeten shumë larg dhe ka shumë punë para.

“Sapo përfunduam dy ditë pune të madhe dhe diskutimeve intensive me kryenegociatorët e Kosovëës dhe Serbisë”, është shprehur Lajçak.

“Pozicionet për një sërë çështjesh urgjente mbeten shumë larg. Ka shumë punë para”, ka thënë më tej ai.

Pas këtij takimi trepalësh, udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka konfirmuar se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këtë e ka bërë të ditur Bislimi pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi.

Ndërkaq, drejtori I së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq, ka thënë se takimi i radhës teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohet në mes të tetorit.

Pas takimit zyrtari serb deklaroi se Bislimi” këmbënguli në çështjen e të zhdukurve dhe se familjet e të zhdukurve do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të varrosur të dashurit e tyre”, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug. /Shqip.com