Lajme

Lajçak: Palët kanë arritur të kalojnë një pengesë të madhe

Miroslav Lajçak, përfaqësues special i Bashkimit Evropian
Miroslav Lajçak, përfaqësues special i Bashkimit Evropian

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka pasur javë intensive takimesh në Bruksel për të diskutuar mbi mundësitë e zgjidhjes të çështjes së dinarit.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se diskutimet kanë qenë produktive dhe se beson se palët kanë arritur të kalojnë një pengesë të madhe.

Megjithatë, Lajçak thotë se ka ende dallime të mbetura dhe për këtë arsye është e domosdoshme vazhdimi i dialogut.

“Nga Bosnja u ktheva në Bruksel për vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një mes në lidhje me të ashtuquajturën ‘çështje të dinarit’. Diskutuam një zgjidhje të mundshme të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme dhe besoj se ia dolëm ta ngushtojmë hendekun. Në të njëjtën kohë, disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete, të cilat do të na mundësonin të ecim përpara në interes të popullit”, ka shkruar ai në Facebook.

/Shqip.com