Lajme Botë

Lajçak në SHBA, viziton Kombet e Bashkuara

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

I Dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po vazhdon vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pas tri ditëve qëndrimi në Uashington, ka udhëtuar drejt Nju Yorkut, njofton Shqip.com.

Lajçak ka bërë të ditur se në Uashington ka pasur konsultime dhe diskutime me partnerët amerikanë e zyrtarë të administratës.

Kështu njoftoi ai nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ku shtoi se vizitën e tij do ta vazhdojë në Nju Jork, në selinë e Kombeve të Bashkuara.

“Pas tri ditëve të ngarkuara plot konsultime dhe diskutime me partnerët amerikanë, zyrtarë të administratës dhe udhëheqës të opinionit në Uashington DC, tani po shkoj në Nju Jork për t’u takuar me udhëheqjen e OKB -së, bashkësinë ndërkombëtare dhe qendrat e studimit”, ka shkruar ai.

Vizita e Lajçakut në SHBA vjen pas tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës dhe pas arritjes së marrëveshjes për targat e automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë. /Shqip.com