Lajme

Lajçak: Me propozimin evropian Kosova fiton shumë dhe nuk humbë asgjë

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Prishtina vetëm do të fitojë nga propozimi evropian.

Ai ka deklaruar se në këtë marrëveshje do të punojnë me hapa, duke filluar nga i pari e për të kaluar tek të tjerët.

“Me këtë propozim Kosova nuk humb asgjë dhe fiton shumë. Hapi një për mua është që të përqendrohemi në hapin e parë të marrëveshjes, nuk mund të kërkoni garancione për hapin pesë, pa e bërë hapin një” ,ka thënë Lajçak.

Lajçak më tutje ka thënë se propozimi lë disa çështje pa adresuar, megjithatë, përmban zgjidhjen e shumë problemeve.

”Ky nuk është fundi i tregimit, kjo nuk është shumë e rëndësishme, tregimi vazhdon me atë që është shkruar në mandatin tim. Marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për normalizim të marrëdhënieve për të gjitha çështjet e hapura dhe kisha thënë që ky propozim adreson shumicën, do të ngelen edhe disa, dhe ajo do të ishte fundi i tregimit dhe ne nuk do të përfundojmë me këtë por do të vazhdojmë deri në fund”.

Ai renditi mes tjerash edhe disa nga përfitimet që do ketë Kosova nga kjo marrëveshje.

”Kosova ka për të përfituar shumë sa i përket statusit të vetë, cilësisë së marrëdhënieve me Serbinë, do të zhbllokohet bashkëpunimi rajon”.

Por sipas Lajçak, nëse deri në mars nuk ka përparim, atëherë do të kuptohet se kush është fajtor.

“Nuk jam në favor të përcaktimit të afateve aritificiale, por megjithatë kemi afat natyror, sepse deri në mars do ta dijmë a jemi duke avancuar apo jo. Dhe nëse nuk avancojmë do ta kuptojmë pse, kush është fajtor”, ka thënë Lajçak.

Lajçak ka folur edhe për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se Aleksandar Vuçiq ka dhënë dy deklarata nga takimi i tyre që kishin, dhe sipas tij kjo e qartëson qëndrimin e tij në këtë çështje.

”Ai i ka dhënë dy deklarata që nga takimi ynë dhe mendoj se e ka bërë shumë të qartë pozitën e tij. Do të kisha pasur dëshirë që të jetë e lehtë, vërtetë është e rëndësishme që jemi në rrugën e duhur edhe me Qeverinë e Kosovës edhe me Qeverinë e Serbisë, kjo është shumë e rëndësishme”.

Lajçak ka folur edhe për takimet e tij të fundit me përfaqësues të vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, raporton Klan Kosova.

“Jam takuar me katër nga pesë në dy ditët e fundit. Jam takuar me përfaqësues, të Spanjës, Sllovakisë, Qipros, Greqisë dhe do të takohem me përfqësues të Rumanisë. Këto vende janë duke e përcjell procesin nga afër. Të gjitha dëshirojnë që ky proces të jetë i suksesshëm. Kaq mund të them tani për tani”, ka thënë ai.

/Shqip.com