Laboratori i kokainës në Qerekë, ‘kokat’ e grupit 4 shqiptarë; financonin trafikun dhe përpunimin e drogës që vinte nga Amerika Latine
Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i SPAK ku u godit një rrjet i përpunimit të kokainës, teksa në pranga ranë 10 persona.
Mes dhjetë të arrestuarve, katër shqiptarë, banues në Tiranë, janë identifikuar si ‘kokat’ e grupit të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, që sillej në vendin tonë për t’u përpunuar në laborator droge me qëllim shitjen në tregjet europiane.
Burime bëjnë me dije se katërshja Geis Fejsullai, Klajd Birçe, Aldi Zonja dhe Artion Çaushllari, ishin financuesit dhe personat që organizonin të gjithë skemën e trafikut të drogës.
Kokaina përpunohej nga të huajt në laboratorin e zbuluar në Qerekë të Fushë-Krujës dhe më pas shpërndahej në dy bazat e tjera të grupit, të rezidenca e VIP-ave Kodra e Diellit 2, si dhe në bazën pranë Portit të Durrësit.
Mësohet gjithashtu se baza në rezidencën e VIP-ave ishte marrë me qira nga një prej anëtarëve të grupit, por grupi hetimor ende po vijon me hetimet në këtë drejtim.
Kokaina vinte në vendin tonë e fshehur në lëkurën e gjedhit, një mënyrë kjo e përdorur nga ky grup për ta kamufluar dhe për t’i shpëtuar kontrolleve me qen antidrogë për shkak të erës së rëndë të lëkurës së bagëtive.
Ky është një ndër të pakta operacione të udhëhequra nga SPAK, përmes të cilit janë ekzkeutuar të gjitha urdhërarrestet e lëshuara nga GJKKO, duke lënë zero hapësira për dekonspirim. 10 urdhër arrestet u ekzekutuan në operacionin e 15 tetorit duke çuar në pranga 7 shqiptarë dhe 3 të huaj, 2 venezuelian dhe 1 kolumbian.
Të arrestuarit janë: Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë; Klajd Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë; Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë; Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë; Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë; Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër; Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës.
Ndërsa në pranga kanë rënë edhe Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian; Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian dhe Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian.
Gjithashtu, nga ky operacion janë sekuestruar edhe 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë, 36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro); 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës. Si dhe 48 lëkura bagëtish, përmes të cilave sillej kokaina e papërpunuar nga Amerika Latine.
Brenda laboratorit u gjetën edhe pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie; 22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM; 3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme.
/Shqip.com