Lajme

Kuvendi miraton vendimin për masat e furnizimit me energji edhe për 30 ditë

Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme e ka miratuar vendimin e Qeverisë së Kosoës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji edhe për një muaj.

Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim i ka miratuar këto masa.

Grupi parlamentar i VV-së, e ka mbështetur vazhdimin e masave emergjente për furnizimin me energji. Deputetja, Jeta Statovci, tha se qëllimi i masave për furnizim është që të arrihet stabiliteti energjetik në prag të dimrit.

Kurse, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk ndërmori asnjë veprim për të gjetur zgjidhje për krizën.

Sipas tij, Lidhja Demokratike, paralajmërimet për krizën energjetike i ka dhënë që nga pranvera e vitit 2021.

“Qeveria i injoroi të gjithë ekspertët vendor e ndërkombëtarë. Shpresuam që qeveria do të marr ndonjë veprim tjetër me ekspertët e saj, por nuk ndërmori asgjë. E gjithë Evropa po ballafaqohet me këtë krizë energjetike, por të gjithë kanë marr masa që të zbusin masat për qytetarët e saj, ndërsa Kosova nuk ka bërë asgjë. I vetmi veprim që kanë marr është shpallja e gjendjes emergjente”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, njëherit kryetar i Komisionit parlamentar për Ekonomi, e ka kritikuar keqmenaxhimin në sektorin e energjisë.

Në seancën e Kuvendit, Shala ka thënë se ekzekutivi nuk po bën asnjë veprim konkret, legjislativ e as operacional për ndryshimin e gjendjes në këtë sektor.

/Shqip.com