Lajme

Kryesia e Kuvendit cakton seancën e radhës plenare, pritet të zhvillohet të enjten

Foto: EO

Të enjten është caktuar dita kur do të mbahet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës.

Kjo u bë e ditur nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

“Fillimi i punimeve të rregullta i sesionit pranveror  do të jetë data 20 janar, të enjten. Të enjten do të mbahet edhe debati parlamentar i kërkuar nga AAK, pas kësaj do të vazhdohet me punimet e seancave të mbetura nga sesioni vjeshtor me mundësinë e vazhdimit të punimeve ditën e premte për të gjitha pikat që kanë mbetur pa u miratuar në sesionin që u përmbyll në vitin 2021”, tha ajo.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri foli për mungesën e kësaj partie në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur më 15 janar kundër referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Ai tha se një seancë e tillë ka qenë e panevojshme dhe se e kanë parë si tallje me deputetët e opozitës.

“Seanca ka qenë e panevojshme dhe unë e kam pa më shumë si tallje me deputetët e opozitës. Pikërisht sa i përket kësaj tallje, nuk kemi dashur të bëhemi pjesë e një seancë të tillë”, tha Tahiri.

Ndërsa, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, shtoi se në këtë seancë do të diskutohet edhe ngritja e çmimeve, si kërkesë e tyre.

“Në këtë seancë do të jetë debati i thirrur nga AAK për ngritjen enorme të çmimeve, një temë që duhet të trajtohet nga grupet parlamentare dhe Qeveria. Ajo që dua të them është se vitin e kaluar ka qenë vit i dobët në draftimin e ligjeve, dhe ne do të punojmë që ky sesion të jetë më i mirë”, u shpreh ai.

Në mbledhjen e kryesisë nuk morën pjesë përfaqësues të Listës Serbe dhe as të pakicave tjera./Shqip.com