Lajme

“Kush mendon si Xhevdeti vepron si Dardani” – grafitet që po vendosen në qendër të Prishtinës

Grafit pas deklaratës së Xhevdet Pozharit për vrasjen en 18-vjeçares në Ferizaj

Deklarata e analistit, Xhevdet Pozhari, në rrjetet sociale, lidhur me vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, u bë arsye e vendosjes së disa grafiteve sot në kryeqytet, njofton Shqip.com.

Statusi në llogarinë e Pozharit në Facebook, i cili mori reagime të shumta në publik, ndër to më shumë negative, bëri që kundërshtimet ndaj mendimit të tij të shfaqen edhe nëpër objekte të ndryshme në qendër të Prishtinës.

Pozhari në këtë status tha se duhet angazhim në edukimin e djemve në shoqëri për respektimin e gjinisë femrore, duke shtuar gjithashtu se duhet rikujtuar vajzave se “nuk është me rëndësi vetura Audi A8, por gomari që e nget atë”.

Pjesa e dytë e kësaj deklarate është kritikuar nga shumë ndjekës së tij, duke thënë se me këtë ai po e arsyeton vrasësin e vajzës.

Grafitet “Kush mendon si Xhevdeti vepron si Dardani” janë vendosur përkatësisht te Teatri Kombëtar dhe Ministria e Kulturës.

Grafitet janë bërë nga Profili i iniciativës së gjimnazistëve të Prishtinës, “Traumë jo lojë” të cilët i kanë publikuar vetë fotografitë e grafiteve në faqen e tyre në Instagram.

Pas reagimeve të shumta lidhur me këtë postim, Pozhari ka shkruar sërish lidhur me çështjen, duke thënë se deklaratat e tij janë devijuar.

“Ka kohë që për cilindo qëllim deklarimet e mia mundohen t’i devijojnë. Në mungesë të kundëragrumenteve përpiqen të më bëjnë shënjestër. Më duhet ta potencoj: Unë kam thënë atë që kam shkruar, e jo atë që doni ta lexoni ju! Fillimisht, mësohuni ta lexoni atë që është shkruar, e jo atë që ju mendoni se është thënë”, ka shkruar ai.

Të dielën e 22 gushtit, 18 vjeçarja M.O., nga Ferizaj, është dërguar në Spitalin Rajonal të këtij vendi pa shenja jete. E njëjta dyshohet se është dhunuar fizikisht e më pas është vrarë nga i dyshuari Dardan Kriqava, i cili ende gjendet në arrati. /Shqip.com