“Kush i jep informacione policisë për vrasësin e shpërblej” – Pacolli për rastin në Ferizaj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka ofruar shpërblim për këdo që jep informacione te organet kompetente që çojnë tek arrestimi i personit që dyshohet se ka vrarë 18-vjeçaren M.O., gjatë së dielës në Ferizaj.
Me anë të një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli tha se është i gatshëm të ofrojë shpërblim për ata që japin informacione të vlefshmë policisë për të ndihmuar në kapjen e Dardan Krivaqës.
“Unë ofroj shpërblim për këdo që i jep informacion të vlefshëm Policisë së Kosovës që çon në arrestimin e vrasësit të Marigonës. Si baba i tre vajzave, ndihem i trishtuar për këtë ngjarje të rëndë”, ka shkruar Pacolli, duke mos bërë të ditur se për çfarë shpërblimi bëhet fjalë.
Krivaqa është i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, M.O., e cila u dërgua e vdekur në Spitalin Rajonal të Ferizajt nga vetë i dyshuari bashkë me një person tjetër, por që më pas të dy janë larguar me një veturë me targa zvicerane.
Personi i dytë është arrestuar, ndërsa Krivaqa gjendet në arrati.
Policia ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët në gjetjen e të dyshuarit që po vazhdon të endet i lirë, por që deri më tani nuk ka asnjë rezultat. /Shqip.com