OP-ED Kolumne

Kush e çliroi Kosovën?

Veteranët e UÇK-së.
Migjen Kelmendi
Migjen Kelmendi

Publicist

Publikuar:

I edukuem në frymë të nji nacionalizmi të mëndafshtë, ku mendohej se me bukurshkrim, poezi, kangë e aktivizëm qytetar Kosova ka me u ba e lirë, kam qenë i bindun se në gjallje temë kjo s’ka me ndodhë, sepse asht nji rrugë e gjatë që ndoshta vetëm gjeneratat tjera kanë me përjetue.

Ndodhi që Kosovën e lirë e përjetova i gjallë dhe i lumtun si krejt ju! S’mujsha me besue! Pjesën teme të përgjegjësisë dhe kontributin modest për me gëzue këtë ditë e kisha krye!

Pamjet e hymjes së trupave të NATO-së dhe UÇK-së ishin historike. Gjasonin me çlirimin e Parisit… Romës….Pragës…mbas L2B, kur bota e civilizueme u ba bashkë me mposht nji forcë të ligë siç ishte Hitleri asokohe, dhe Millosheviçi këso kohe.

Sot, me gjasë njerëz që përgjegjësinë ndaj kësaj lirie s’e kanë ndie, e kanë huq, s’e kanë kuptue, e politizojnë dhe kontestojnë këtë ditë që po e gëzojmë të gjithë bashkë, me pyetjen – Kush e çliroi Kosovën?

Kryesisht atyne që ishin të painformuem, të hutuem, të gatshëm edhe me u nënshtrue, pa idenë e lirisë e të sakrificës, përgjegjja në këtë pyetje ishte e thjeshte: NATO, po kush!

Sa herë përmendet roli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komentet janë minimizuese, bile shpesh edhe përçmuese.

Krejt kjo përpjekje mos me kuptue dhe me e përçmue rolin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës spjegohet lehtë me nji parabollë të njoftun prej historie: ndoshta nuk ju shkon mendja se Enver Hoxha me nji grusht katundaresh të jugut dhe Tito me shefat e Enverit, Mugoshen e Milladinin, e kanë mposht makinerinë naciste të Hitlerit?!

Për me shkatërrue atë ushtri u deshtë me hy në luftë fuqitë ma të mëdhaja perendimore e lindore të globit. Por ata u gjeten në anën e duhun të historisë.

Roli historik që luejti rebelimi ushtarak i UÇK-së ishte thyemja e paqes së rreme që Millosheviç e kishte instalue në Kosovë, tue e përmbrendësue lëvizjen paqësore të Rugovës.

E kam thanë dhe po e përsëris në këtë ditë:
Lëvizja paqësore e Kosovës përfundoi në zyrën e kriminelit Millosheviç, kur ai e mori peng familjen e Rugovës dhe e detyroi me i shkue në zyrë në Beograd, me ja dhanë dorën dhe me nënshkrue dokumentin e përbashkët kundër intervenimit të NATO-së.

Ky ishte akti i fundit i fiaskos së Lëvizjes paqësore të Kosovës.

Debati i munguem, që do t’i kushtohej domethanies historike të shfaqjes së formacionit ushtarak “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” për lirinë e Kosovës dhe për krejt këtë realitet demokratik e shtetnor që sot po e gëzojmë, po na zhvillohet në mënyrë dramatike dhe të imponueme sot përmes Gjykatës Speciale.

Jam mundue me imponue këtë debat përmes Gazetës Java, gjatë viteve 2001-2008, por kisha sugjerime edhe nga liderat ma të naltë të UÇK-së, që asht nji debat delikat, i cili nuk mundet me u ba pa u implikue edhe figura e ish presidentit Ibrahim Rugova, dhe prandaj sugjerohesha që të evitohet. (Rugova nuk ka besue në luftë dhe ka qenë skeptik në momentin e shfaqjes së UÇK-së, po e them shkurt). Natyrisht, që debati kishte me i hapë edhe çashtjet e sjelljeve të pahijshme dhe tuafe të ndonji komandanti e pjesëtari, i cili nën emnin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka realizue ambicie vetanake. Kjo u pa edhe mbas lufte, ku na u krijue ajo që e quejta ‘kultura e komandantave’, që filluen me u sjell a thue se na ju kena borxh lirinë personalisht atyne (siç!).

Jam përpjekë me kontekstualizue nevojën e thyemjes së asaj që e kam quejt ‘paqja millosheviqiane’, ose ‘shteti i frigës’, që e kishte instalue Sllobodan Millosheviç gjatë viteve të ’90-ta, që shfaqja dhe lufta e formacionit ushtarak UÇK-së i deplasoi dhe i demaskoi në tanë vertetësinë e tyne si – pushtim.

Me kalimin nga situata e ‘paqes’ (ju kujtoj fjalinë e famshme të Millosheviçit – “Mir vlada na Kosovu”), ne nji situate konflikti të imponuem nga dhuna, her e kamuflueme e her eksplicite, e aparatit policor e ushtarak të Serbisë, u hapë rruga për intervenimin e faktorit ndërkombëtar dhe nevoja e adresimit të këtij konflikti, tashti mes formacionit ushtarak UÇK dhe aparatit militar të Serbisë, përmes nji Konference Ndërkombëtare, si ajo që u mbajt ne Rambouillet, me 6 Fror 1999.

Ka qenë luftë e imponueme nga dhuna me të cilën ju përgjegj Serbia kërkesave legjitime të popullit shqiptar në Kosovë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës u gjet në anën e drejtë dhe fituese të historisë.

Kjo asht përgjegjja!

Edhe njiherë:
Urime Kosovë për Ditën e Çlirimit!