Rasti “Pronto”: Kusari e quan “të kapur” Prokurorinë Speciale
"Më lejoni që për rastin Pronto nga thellësia e zemres ta komplimentoj prokurorinë për arritjen më të madhe në historinë e saj"
Juristja e mediave, Flutura Kusari, e ka quajtur “të kapur” Prokurorinë Speciale të Kosovës, pas vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me rastin “Pronto”.
Gjykata e Apelit ka vendosur që të refuzojë si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës në rastin “Pronto”, ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci dhe Ilhami Gashit e Sadat Gashit.
Apeli e ka vërtetuar aktgjykimin e gjykatës shkallës së parë ndaj Grabovcit dhe Sadat Gashit, sipas të cilës, më 2 mars 2020, i kishte liruar ata nga akuzat, por që për këtë PSRK kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.
E sipas Kusarit, ky rast “ka dështuar” me të drejtë, pasi Specialja “ka ndjekur gabimisht zyrtarët që nuk kishin përgjegjësi individuale dhe duke mos ftuar asnjë nga dëshmitarët apo të dëmtuarit”.
“Më lejoni që për rastin Pronto nga thellësia e zemres ta komplimentoj prokurorinë për arritjen më të madhe në historinë e saj. Bravo, bravo, bravo i qoftë Drita Hajdarit dhe Aleksander Lumezit! Meritojnë medalje presidenciale”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Duke ndjekur gabimisht zyrtarët që nuk kishin përgjegjësi individuale dhe duke mos ftuar asnjë nga dëshmitarët apo të dëmtuarit, rasti me të drejtë ka dështuar. Kështu, në mënyrë të suksesshme është mbrojtur Hashim Thaçi i cili ishte kryeministër dhe bartte përgjegjësinë pë rekrutime publike. Kapja e prokurorisë ia ka vlejtë!”.
Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.
Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.
Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura./SHQIP.com