Lajme

Kusari-Lila për draft-statutin e Ramës: S’kemi nevojë për shpëtimtar, duhet të jetë i Kosovës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, tha se nuk e kanë parë draft-statutin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Përtej asaj se një iniciativë ndoshta me qëllim të mirë, por që mund të shkojë keq, është një thënie e vjetër që thotë se ‘rruga për në ferr është e ndërtuar me qëllime të mira’. Prandaj nuk e shoh jashtë këtij konteksti as këtë propozim”, deklaroi Kusari Lila, derisa tregoi se nuk e kanë parë draft-statutin e Asociacionit.

“Ne nuk kemi si ta shohim, për arsye se nuk e kemi parë atë draft-statut. Siç ka thënë vetë kryeministri Rama, nuk është konsultuar. Unë mendoj që specifikat dhe rrethanat e këtij procesi në Kosovë, janë të tilla që duhet pasur në konsideratë krejt historinë e këtij procesi dhe natyrisht rëndësinë e kuptimit të rrjedhës përpara bazuar në parime”, tha ajo, raporton KP.

Ajo tha se raportet me Shqipërinë janë më tepër se fqinjësore. Kusari-Lila u shpreh se draft-statuti i Ramës para se të shkojë Francë dhe Gjermani, duhet të jetë i Kosovës.

“Ky dokument i shkruar nga zotëri Rama besoj përfundon atje për ku është nisur. Ai dokument nuk është për Francën, për Gjermaninë e shtetet tjera. Ai dokument është për Kosovën, para se të shkojë atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar në formën e ofrimit të një drafti të statutit. Ne kemi nevojë për elaborim dhe pronësi të parimeve, të cilat do të jenë në fokus me funksionimin e shtetit, me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, e natyrisht edhe me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”, shtoi Kusari-Lila.

/Shqip.com