Kurti: Vuçiq të distancohet nga Millosheviqi dhe Putini, dialogu të përfundojë me marrëveshje reciproke

Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një konferencë të përbashkët për media me ministren e Mbrojtjes të Gjermanisë, Christine Lambrecht.
Kurti duke folur për çështjen e dialogut me Serbinë, tha se ai duhet të marrë fund me një marrëveshje reciproke.
“Besoj se dialogu duhet të zhvillohet përbrenda vlerave të BE-së dhe të ketë karakter transformues ku edhe Kosova edhe Serbia me qytetarët e tyre përfitojnë. Dhe i afrohemi anëtarësimit në BE. Ky dialog duhet të rezultoj me marrëveshje por kjo marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Nuk them se duhet të jetë i vetmi element, por duhet të ketë edhe elemente të tjera por njohja reciproke duhet të jetë në qendër”, u shpreh Kurti.
“Ne nuk jemi kundër dialogut. Por jemi për dialog me parime. E një ndër parimet është barazia e palëve. Në darkë nuk kemi pasur gjella të ndryshme. I kemi diskutuar temat në ditën e takimit të 13 majit midis kryenegociatorëve. Darka e mbrëmshme ishte darkë pune e organizuar nga kancelari gjerman”, u shpreh më tej ai.
I pari i qeverisë, tha se për të ecur përpara, Vuçiq duhet të distancohet nga Millosheviqi dhe Putini.
“Kërkesa për kompromise në kushtet kur thotë se asnjëherë nuk do ta njoh Kosovën, teksa nuk distancohet as nga Millosheviqi as nga Putini, nuk është kërkesë për zgjedhje”, u shpreh Kurti.
Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambrecht, mbërriti në Kosovë në pasditën e së enjtes për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.
Paraprakisht ajo ka vizituar Serbinë, ku u takua me presidentin Aleksandar Vuçiq.
Në Serbi, Lambrecht deklaroi se Gjermania nuk dëshiron që Ballkani Perëndimor të destabilizohet, derisa shtoi se bisedimet duhet të zhvillohen./Shqip.com