Kurti viziton afganët që po strehohen në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar të hënën afganët që po strehohen në kampin Bondsteel në Ferizaj, përcjell Shqip.com.
Në këtë vizitë, ai ishte i shoqëruar nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Amerikës në Prishtinë, Nicholas Giacobbe.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se gjatë vizitës, Kurti ka deklaruar se është nder për ta që kishin mundësi që t’i mirëpresin dhe t’iu ndihmojnë qytetarëve afganë.
“Së bashku me Zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës, znj. Emilija Redžepi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kryeministri Kurti, falënderoi zyrtarët amerikanë për komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në këtë çështje humanitare për refugjatët, të cilët kishin nevojë për mbështetjen tonë e që po i ndihmojmë së bashku.

Kryeministri Kurti tha se është nder për neve që kishim mundësi t’i mirëpresim dhe t’u ndihmojmë qytetarëve afganë, të cilët tani janë mysafirët tanë”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Ndërkaq, zyrtarët e kampit kanë shprehur mirënjohjen e tyre për angazhimin e Qeverisë së Kosovës në strehimin e qytetarëve të shpërngulut nga Afganistani./SHQIP.com