Kurti uron Ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare

Në Ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim grupin punues për formimin e Njësisë për harmonizim dhe përkthim në Qeverinë e Kosovës.
Me këtë rast, Kurti është shprehur se shumëgjuhësia është e rëndësishme për multikulturalizmin dhe e ndihmon atë, ndërsa tolerancën e zëvendëson me bashkëpunim dhe solidaritet.
“Duke uruar Ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare, Kryeministri Kurti tha se shumëllojshmëria gjuhësore përveç se element i trashëgimisë së pasur kulturore, është edhe mjet për të arritur mirëkuptim dhe bashkëpunim të shtuar ndërkulturor në shoqërinë tonë.
Duke vlerësuar arritjet në përdorimin e gjuhëve në Kosovë, u theksua angazhimi dhe përpjekjet e përbashkëta për t‘i adresuar mangësitë që ende ekzistojnë. Në takim u ritheksua rëndësia e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve zyrtare në Kosovë, si dhe u vlerësua puna dhe hapat e ndërmarrë deri më tani për themelimin e Njësisë së Përkthimit dhe Harmonizimit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Kjo do të lehtësojë qasjen në informata me interes publik, duke siguruar përkthime cilësore të ligjeve dhe akteve nën-ligjore në gjuhët zyrtare të Kosovës“, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kryeministria.
Tutje, u theksua themelimi i Programit Ballkanistik në Universitetin e Prishtinës, ku studentë nga të gjitha komunitetet mund t’i mësojnë gjuhët e popujve të Ballkanit.
“Në këtë program, të vetmin në rajon, studentë të komuniteteve të ndryshme mësojnë gjuhët e rajonit së bashku, si dhe gjithashtu mësojnë për antropologji, për linguistikë dhe për teoritë e përkthimit“, theksohet në njoftim.
Në këtë takim, morën pjesë edhe Komisioneri i Gjuhëve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Slavisa Mladenović, si dhe Elizabeth Katherine Gowing, këshilltare e Kryeministrit për Çështjet e Komuniteteve.
/Shqip.com