Lajme

Kurti thotë se nuk e pranojmë kushtin e Asociacionit për anëtarësim në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar absurde kërkesën e ndërkombëtarëve që Qeveria ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Në javët e fundit u përballem me një kusht të ri, i cili nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë. Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, ne dëgjuam se ka kryeqytete që tash po e kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ky dokument i sjellë te ne nga përfaqësuesi special për dialog Miroslav Lajçak, së bashku me këshilltarët diplomatik të shteteve të QUINT-it, nuk pranua më 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe e aneksit të Ohrit, që është pjesë integrale e tij, dhe të nënshkruhet për t’u bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm, por është refuzuar nga Serbia. Refuzimi nuk është pranim, refuzimi është refuzim”, ka thënë kryeministri në hapje të mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës.

Ai tutje ka thënë se nëse më 26 tetor të vitit të kaluar do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel, vetëm atëherë ai draftstatut do të mund të dërgohej në Gjykatën e Kushtetuese.

“Draftstatuti i Lajçakut dhe emisarëve të tjerët të QUINT-it si dokument dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jodokument – ‘non paper’. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dokumente të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, ka shtuar Kurti.

Ai ka thënë se mungesa e përkrahjes së Kosovës për anëtarësim në KiE është për keqardhje dhe nuk do t’i ndihmojë normalizimit dhe dialogut dhe as paqes e sigurisë.

Kurti ka thënë se qeveria ka punuar pareshtur për t’i plotësuar standardet e kushtet për t’u bërë anëtare e KiE-së. Ai ka thënë se Kosova dëshiron anëtarësim meritor, por se nuk pranon parakushte tjera.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel, jo në Strasburg., Neni 7 i Marrëveshjes Bazike, edhe në ndërlidhje me nenin 10 nuk mund të nxirret jashtë marrëveshjes, nuk mund të vendoset në qendër të saj dhe as sipër saj si një  çështje urgjente”, ka nënvizuar kreu i ekzekutivit.

/Shqip.com