Lajme

Kurti takon zyrtarin e lartë të NATO-s, ky i fundit kërkon veprime të koordinuara

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Operacione të NATO-s, Thomas Goffus, i cili po zhvillon vizitë zyrtare në Kosovë.

Fillimisht, kryeministri Kurti e falënderoi z. Goffus për kontributin e vazhdueshëm e pozitiv të misionit të KFOR-it dhe NATO-s, si dhe angazhimin në ruajtjen e paqes e sigurisë në vend dhe rajon.

Ai theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes institucioneve tona të sigurisë e mbrojtjes me KFOR-in e NATO-n dhe koordinimin e vazhdueshëm. Kryeministri Kurti tha se progresi socio-ekonomik e demokratik i vendit ecën krah për krah me sundimin e rendit dhe ligjit, ndaj të cilave përkushtimi mbetet i palëkundur e në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Kryeministri Kurti tha se gjatë këtyre tre vjetëve nën kërcënimet më të mëdha të sigurisë nga Serbia, kemi arritur progresin më të madh në demokraci dhe ekonomi ndërkohë që edhe kemi zmbrapsur kërcënimet e menaxhuar sukseshëm sfidimin e sigurisë dhe paqes në vendin tonë. Ne mbrojmë jo vetëm qytetarët e territorin, sovranitetin dhe demokracinë, pavarësinë dhe lirinë, por edhe progresin e prosperitetin tonë.

Kryeministri Kurti e falënderoi z. Goffus për vizitën e bisedën e zhvilluar. Prezent në takim ishin dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Kurse, ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, pas takimeve që zhvilloi me krerët e vendit, ka deklaruar se veprimet e pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun për dhunë, cënojnë sigurinë e të gjithë njerëzve në vend dhe rrezikojnë trupat e KFOR-it.

“Gjatë vitit të kaluar ne kemi rritur numrin e trupave në Kosovë, në mënyrë që të adresojmë fatkeqësisht një ambient më sfidues të sigurisë dhe rishfaqjen e tensioneve. Kjo tregon edhe një herë përkushtimin e shpejtë të aleatëve të NATO-s dhe partnerëve që ta ruajnë sigurinë përgjatë Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi”, ka deklaruar Goffus.

Ai tha se shtimi i trupave ushtarake, i domosdoshëm momentalisht, nuk është zgjidhje për një paqe afatgjate në Kosovë, zgjidhja është politike.

“Është esenciale që edhe Prishtina edhe Beogradi të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të zgjidhur çështjet e mbetura. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve, të implemtentojnë marrëveshjet e arritura pa vonesë. Siç i kemi parë veprimet e papritura dhe të pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, dhe rrezikon trupat e KFOR-it”, ka thënë ai për RTK.

Guffus shtoi se kjo e rëndon shqetësimin e NATO-s dhe partnerëve për stabilitetin e rajonit dhe Kosovës dhe sigurinë e trupave të saj. Ai tha se ushtarët e KFOR-it mbesin të përkushtuar në detyrë, posaçërisht në veri të Kosovës, me patrullime të rregullta dhe duke monitoruar për së afërmi situatën në terren.

“Ata po punojnë pa pushim për ta mbajtur situatën të qetë, duke implemetuar mandatin e OKB-së. Këtë ua kam thënë të gjithëve me të cilët kam biseduar, që është e rëndësishme të ketë koordinim me NATO-n për një sërë çështjesh përfshirë urën e Ibrit.

/Shqip.com