Lajme

Kurti takohet me ministrin e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, diskutojnë për gjendjen e sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Britani të Madhe.

Gjatë qëndrimit të tij, në Britani të Madhe Kurti ka zhvilluar takim me ministrin e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar.

Kjo është bërë e ditur nga një njoftim përmes zyrës së kryeministrit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Londër, z.Ilir Kapiti, u pritën në takim nga ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, z. James Heappey” thuhet në njoftimin për media.

Gjatë takimit Kurti ka falënderua ministrit Heappey për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat: të çlirimit, të rindërtimit, të pavarësimit, të zhvillimit e të demokratizimit.

Sipas njoftimit në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të sigurisë.

Duke biseduar për çështjet e sigurisë, u theksuan sfidat që vijnë nga invazioni dhe agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus në Ukrainë.

Kurti ka thënë se  Republika e Kosovës është rreshtuar përkrah botës demokratike, Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e dënuar sulmin dhe duke vendosur masat sanksionuese ndaj Federatës Ruse.

Gjithashtu, ai theksoi ndihmën e qeverisë për Ukrainën, ofrimin e strehimit për 5000 refugjatë dhe kushteve të punës për 20 gazetarë ukrainas, katër prej të cilëve tashmë janë vendosur në Kosovë dhe po vazhdojnë të merren me profesionin e tyre./Shqip.com