Lajme

Kurti takohet me drejtues të kompanive gjermane, diskutohen mundësitë për investime

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtutgart të Gjermanisë, kryeministri Albin Kurti ka takuar drejtuesit e ndërmarrjeve Bosch, Datagroup SE dhe Zeiss.

Në këto takime ai ka theksuar mundësitë për investime dhe mjedisin e favorshëm në Kosovë, pozitën gjeografike dhe stabilitetin institucional.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit është veçuar rritja ekonomike, borxhi i ulët publik, popullsinë e re dhe të talentuar, si dhe politikën stabile fiskale.

“Kurti është shprehur se ndikimi i stabilitetit politik vërehet edhe në Investimet e Huaja Direkte, të cilat u rritën me 22%, ndërsa me agjendën ambicioze legjislative të Qeverisë, presim rritje të mëtejme në të ardhmen e afërt”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ardhja e kompanive të mëdha globale si Bosch në Kosovë do të ndihmonte sektorin vendor në rritjen e standardeve të punës, cilësisë si dhe konkurrencës brenda sektorëve, u tha në takimin me Tanja Rückert nga kompania Bosch.

U diskutua edhe nisma e Qeverisë për mbylljen e hendekut të shkathtësive nëpërmjet arsimit dual.

Ndërsa gjatë vizitës në Zeiss dhe takimit me drejtuesit e kompanisë Dr. Christian Müller e Dr. Marc Wawerla, u theksua se me popullatën e re, Kosova është lokacion i favorshëm për mbështetjen e zinxhirëve ekzistues të furnizimit, si dhe një alternativë e re e për investime në arsim, veçanërisht në arsimimin digjital.

Në këto takime u theksua synimi i Kosovës, për të përmirësuar mundësitë dhe cilësinë e jetës për të rinjtë, nëpërmjet lehtësimit të të bërit biznes në Kosovë dhe mbështetjes së investitorëve.

/Shqip.com