Kurti shtroi darkë pune me Kallas, kërkon që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për në BE

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një darkë pune me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas. Temat kryesore të diskutimit ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, reformat evropiane dhe Plani i Rritjes.
Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e BE-së dhe theksoi progresin që ka bërë Kosova në përputhjen e politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian dhe në reformat e brendshme. Ai theksoi rëndësinë e këtij progresi, i cili sipas tij, është i njohur edhe në raportet zyrtare të BE-së për Kosovën. Kurti përshëndeti vendimin për nisjen e largimit gradual të masave kufizuese ndaj Kosovës, por theksoi se ato duhet të hiqen plotësisht dhe se Kosova meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Në takim u trajtuan edhe zhvillimet pas zgjedhjeve të fundit dhe përpjekjet për formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë. Në lidhje me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, Kurti nënvizoi rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe të Aneksit të saj. Ai gjithashtu kërkoi që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin në Banjskë dhe kërkoi dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i akuzuar për përfshirje në këtë ngjarje.
Një tjetër çështje e ngritur nga Kurti ishte ajo e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai vuri në dukje shkeljet sistematike nga ana e Serbisë dhe kërkoi nga BE veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
/Shqip.com