Kurti: Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore për masakrën në lagjen “Dardania” në Pejë.
Në adresimin e tij para mediave, Kurti ka thënë se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë.
“Drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë dhe për siguri e për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale. Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë”, tha Kurti.
Kurti pati edhe një kërkesë për Prokurorinë Speciale në Kosovë.
“Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Kosovës duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen e të nxjerrën para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat kur dihet qartë që viktima nuk janë vetëm të vrarit e të rrëmbyerit, por edhe familjet e tyre, farefisi i tyre dhe mbarë shoqëria jonë”.
Në masakrën në lagjën “Dardania” në Pejë janë vrarë 40 persona nga forcat, ushtarake, paramilitare e policore serbe.
/Shqip.com