Kurti: Rasti i Spanjës dhe Katalonisë nuk janë të ngjashëm me atë të Serbisë dhe Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se rasti i Spanjës dhe Katalonisë nuk kanë të bëjnë asgjë me atë të Serbisë dhe Kosovës.
Përmes një interviste për revistën spanjolle “El Peridicio”, ka lënë për të nënkuptuar se rasti i Kosovës dhe Serbisë nuk është i ngjashëm me atë të Spanjës dhe Katalonisë.
“Sipas asaj që na është thënë, asobote në Spanjë ekzistonte një brengosje që pavarësia e Kosovës mund të shërbente si precedent për disa regjione të caktuara të Spanjës, që donin të ndaheshin. Besoj që shkrimtari shqiptarë Ismail Kadare, kur e mori çmimin Princi i Asturia-s, e dha argumentin më të mirë pse Spanja do të duhej ta njihte Kosovën: NATO ka intervenuar në Kosovë në pranverën e 1999-ës për të parandaluar gjenocidin që kryente regjimi i Sllobodan Millosheviqit. E nëse ndonjë politikan spanjoll sheh ngjashmëri mes Kosovës dhe Katalonisë, apo cilësdo tjetër pjesë të Spanjës, Madridi nuk do të duhej ta shihte veten si Beogradi”, tha Kurti.
Kurti tregoi edhe krimet që kishte bërë Serbia gjatë luftës në Kosovë.
“Vetëm në pranverën e 1999-ës, në Kosovë janë vrarë mbi 10.000 civilë të paarmatosur. Mbi 10% të tyre ishin fëmijë. U përdhunuan përmbi 20.000 femra. Dhe u dëbuan 860.000 shqiptarë nga Kosova. Në Tribunalin e Hagës u dëshmua që ishte fjala për një operacion të premedituar, të njohur me emrin Operacioni Patkoi. Vetëvendosja ishte reagim ndaj këtyre ngjarjeve. Kështu që nuk shoh se ku mund të gjenden analogji apo ngjashmëri me regjionet spanjolle. Në 1979, kohë e barazimit më të lartë të nivelit të jetës në Jugosllavi, diferenca mes Sllovenisë dhe Kosovës, ishte shtatë me një. Në të njëjtin shtet socialist! Nga Kosova nxirreshin materiet e para, ndërsa fabrikat gjendeshin në Serbi dhe pjesët tjera të Jugosllavisë. Ne ishim minatorët e ata financierët”.
Kryeministri Kurti tha se mosnjohja e Kosovës nga Spanja është fryt i mosnjohjës së situatës reale.
“Më vjen keq që Spanja gjendet mes pakicës së shteteve të BE-së dhe të NATO-s, që nuk e njohin Kosovën. Nga 30 vendet e NATO-s vetëm 4 nuk na njohin, e ndër to Spanja. Nga shtetet e BE-së, vetëm 5 nuk na njohin, e ndër to Spanja. Por Spanja është shteti më i madh nga ato që nuk na njohin. Besoj që kjo mosnjohje shtetërore është fryt i mosnjohjes së situatës reale. Kur ne e kemi deklaruar pavarësinë tonë, nuk e di se cili politikan spanjoll i ka formuluar disa analogji të gabueshme lidhur me Kosovën”.
Tutje, Kurti tha se duhet të ketë një gjykatë për të gjykuar krimet e luftës në Ukrainë nga Rusia.
/Shqip.com