Sport Shqiptar

Kurti: Qiro Bllazheviq, emër i shënuar në periudhën e gjeneratës së artë të KF Prishtina

Kryeministri Albin Kurti, e ka kujtuar trajnerin kroat Miroslav Ciro Bllazheviq, i cili sot ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare.

Sipas tij, Bllazheviq ka bërë vend si një trajner me pasion për futbollin dhe dashurinë e madhe për Prishtinën e Kosovën.

“Ai sot ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare, duke lënë pas kujtime të shumta nga periudha kur futbolli kosovar kishte arritur kulmin e tij në vitet e ‘80-ta, derisa drejtonte me plot vetëbesim dhe entuziazëm ekipin e atëhershëm të KF Prishtinës”.

“Si fëmijë, e mbaj mend qysh e pat bërë KF Prishtina aq të famshme. E pat sjellë në Prishtinë këngëtaren e njohur kroate, Tereza Kesovija. Para fillimit të një ndeshjeje të ligës elitare të vitit 1985 në Prishtinë, ajo doli në mes të fushës pranë kapitenit të atëhershëm Fadil Vokrri, për ta nisur ndeshjen formalisht, derisa të gjithë shikuesit në tribina mbanin shalla të bardhë, sepse kështu bënte vetë Mirosllav Qiro Bllazheviq”.

“Në kujtesën e atyre që e kanë përcjellë futbollin e asaj kohe, Bllazheviq ka bërë vend si një trajner me pasion për futbollin dhe dashurinë e madhe për Prishtinën e Kosovën. Dhe i tillë do të mbetet përherë! Ngushëllime të sinqerta për familjarët dhe komunitetin futbolldashës!”.

/Shqip.com