Kurti përkujton 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit.
Sipas tij, në këtë ngjarje u masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit.
“Më 19 korrik 1998, ushtria dhe polica serbe vrau, dogji, plagosi, rrahu e maltretoi, mori peng dhe zhduku me dhunë civilë shqiptarë të Rahovecit. Ekzekutimet vijuan për disa ditë me radhë. U masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Postimi i plotë:
Më 19 korrik 1998, ushtria dhe polica serbe vrau, dogji, plagosi, rrahu e maltretoi, mori peng dhe zhduku me dhunë civilë shqiptarë të Rahovecit. Ekzekutimet vijuan për disa ditë me radhë. U masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit.
Në përpjekje të fshehjes së krimeve, forcat serbe hapën dy gropa të mëdha në Rahovec dhe i hodhën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj masakre. Por nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore.
Për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, po themelojmë Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Një zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi.
Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, përkujtojmë 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit.
Nderojmë të mbijetuarit që u bënë ballë plagëve në trup e në shpirt.
Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës!
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!
/Shqip.com