Kurti për boksierin Xhevdet Peci: Do të kujtohet për trofetë e fituar

Ikona kosovare e boksit, Xhevdet Peci është ndarë nga jeta, i cili ka pasur një karrierë tejet të lakmueshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar se më pikëllim ka marr lajmin për vdekjen e Xhevdet Pecit, dhe i njëjti i ka shprehur ngushëllime familjes.
“Qysh kur isha fëmijë, para ndeshjeve të futbollit në stadiumin e kryeqytetit të KF “Prishtina” të dielave pasdite, shkonim në Pallatin e Rinisë për t’i parë boksierët e KB “Prishtina”. Bashkë me Lah Nimanin, Nazif Gashin, Aziz Salihun, Naser Bajramin, Mehmet Bogujevcin, Fatmir Makollin dhe boksierë të tjerë, ishte edhe Xhevdet Peci. Me stilin e tij të shpejtë të të boksuarit në ring, Xhevdet Peci i fitoi simpatitë dhe zemrat e mijëra dashamirësve të sportit, mes tyre edhe timen si një fëmijë entuziast për boksierin Xhevdet Peci, që 5 vite rresht askush nuk arriti ta mposhte”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka shkruar se Xhevdet Peci do të bëhej një nga sportistët më të trofeshëm në boksin e Kosovës dhe të Ballkanit.
“Xhevdet Peci ishte i mirënjohur për grushtet e tij të forta dhe goditjet e parezistueshme, me të cilët nokautonte kundërshtarët pa konsumuar të gjitha raundet. Ai arriti të shpallej katër herë kampion i ish-Jugosllavisë në konkurrencë individuale dhe pesë herë në konkurrencë ekipore si dhe dy herë kampion ballkanik”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Kryeministri i Kosovës, ka thënë se me karrierën e tij të pasur, boksieri Xhevdet Peci ka hyrë në historinë e boksit dhe të sporteve në Kosovë.
“Ai do të kujtohet për trofetë e fituar, kontributin për zhvillimin e boksit në Kosovë, për grushtet nokautuese të tij, madje edhe për “nokautimin” e referit që i bëri padrejtësi”, ka shkruar Kurti.
Boksieri kosovar, Xhevdet Peci, ka vdekur më 9 maj 2022 i cili do të mbahet mend shumë gjatë për goditjet e forta, nga çka e morri dhe nofkën “Grushti i Hekurt”.
Padyshim, njëri nga sportistët më të mëdhej që ka pasur Kosova, me rekordet e tij që flasin vetë.
Xhevdeti, ishte shpallur 5 herë kampion i ish-Jugosllavisë me Prishtinën, nën urdhërata e trajnerit Lah Nimani./Shqip.com