Lajme

Kurti pas vdekjes së presidentit të Parlamentit Evropian: Ishte mik i Kosovës

Kurti dhe Sassoli.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vdekjes së presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, tha se ishte mik i Kosovës, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti deklaroi se ai kishte sjellur vlera evropiane në institucionet e Bashkimit Evropian.

“Me keqardhje mësojmë për ndarjen nga jeta të David Sassolit, presidentit të Parlamentit Evropian, mikut të Kosovës dhe njeriut që vërtet solli vlerat evropiane në institucionet e BE-së. Do të na mungojë shumë”, shkroi Kurti.

Ndërkaq, për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se ai ka lënë boshllëk te secili që e ka njohur.

“Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, një europian i paepur, një italian krenar, një avokat i zjarrtë i Shqipërisë, gazetar i shquar dhe më pas politikan i respektuar nga të gjithë, ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte”, shkroi Rama.

Ndryshe, Sassoli ka vdekur në orët e para të së hënës, pasi që ishte i sëmurë rëndë për më shumë se dy javë dhe kishte anuluar të gjitha aktivitetet zyrtare./SHQIP.com