Kurti: Nuk ndërhyjmë në përzgjedhjen e Kryeprokurorit, pushtetet janë të ndara

“Pushtetet janë të ndara dhe në punën e gjyqësorit nuk ndërhyn Qeveria”.
Kështu deklaroi të martën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para mediave kur u pyet nga gazetarët lidhur me konkursin për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kurti tha se nuk do të flasë me asnjë nga kandidatët për këtë post.
“Është në vullnetin dhe interesin e atyre që kanë të drejtë të bëhen kryeprokuror të ardhshëm që të kandidojnë e të fitojnë”, u shpreh shefi i qeverisë.
“Ne jemi shtet demokratik ku janë të ndara pushtetet, dhe rrjedhimisht në shkeljet eventuale të ligjit e të Kushtetutës në Kosovë nuk ndërhyn Qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo është një detyrë që e zbaton prokuroria, gjyqësori dhe mekanizmat e tjerë zbatues”.
Kurti foli edhe për propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike. Ai tha se ZRRE-ja është institucion i pavarur dhe se ai personalisht nuk e ka as numrin e telefonit të kryesuesit të Bordit.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë është institucion i pavarur shtetëror. Unë nuk e kam numrin e telefonit te kryesuesit të bordit, mirëpo ministrat e linjës shpresoj edhe nga Kuvendi do t’i dërgojnë sa më pare komentet në mënyrë që bordi i ZRRE-së bazuar në raportin e vet t’i trajtoj edhe sugjerimet”, u shpreh Kurti./SHQIP.com