Lajme

Kurti: Nga sot, ushtria jonë po rritet dhe ngritet më shumë

Kurti në ceremoninë e rekrutimit të ushtarëve të rinj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me rekrutimin e ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtria po rritet dhe ngritet më shumë, përcjell Shqip.com.

Kurti i shoqëruar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari dhe ministri i Mbrojtjes, Rrahman Rama, kanë marrë pjesë të premten në certifikimin e 190 rekrutëve të rinj në kazermën e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj.

Ai iu drejtua rekrutëve të rinj duke thënë se tashmë janë pjesë e një force që i shërben popullit të saj paqedashës, dhe asaj që është boshti i fuqishëm i shtetit të Kosovës.

“Detyra juaj është më fisnike sepse ju i shërbeni paqes së qëndrueshme dhe vlerave demokratike. Duke iu drejtuar Gjenerale Irfete Spahiut dhe stafit trajnues të FSK-së, kryeministri i përgëzoi për punën e shkëlqyeshme dhe angazhimin e palodhshëm për realizimin e suksesshëm të stërvitjes ushtarake bazë për gjeneratën e dytë për këtë vit.

Kjo stërvitje duke qenë stërvitje fundamentale e ushtarit, është themeli i edukimit ushtarak, prandaj, përfundimi i suksesshëm i kësaj stërvitje nënkupton fillim të mbarë të përgatitjes profesionale të ushtarëve për t’i shërbyer Forcës e sigurisë, qytetarëve dhe vendit”, tha Kurti./SHQIP.com