Lajme

Kurti në takim me ambasadorin e Zvicrës dhe ambasadorin e OSBE-së, diskutojnë rreth inciativës për përkthimit të saktë të ligjeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë,Thomas Kolly dhe Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

Në këtë takim është diskutuar rreth inciativës së krijimit të njesisë së përkthimit dhe harmonizimit në kuadër të zyrës së kryeministrit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, z. Thomas Kolly dhe Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport, me të cilët diskutuan rreth iniciativës së krijimit të Njësisë së Përkthimit dhe Harmonizimit, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Në takim ishin të pranishëm edhe Komisioneri për Gjuhët, z. Slavisha Mladenoviq dhe këshilltarja e kryeministrit për çështje të komuniteteve, znj. Elizabeth Gowing”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, me krijimin e Njësisë sigurohet respektimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe respekti për të drejtat e komuniteteve, por i kontribuon edhe sundimit të ligjit.

Lidhur më këtë, Kurti ka falënderuar ambasadorin Kolly për ndihmën e Ambasadës zvicerane për përkrahjen dhe ndihmën për krijimin e kësaj Njësie, nëpërmjet së cilës do të sigurohet përkthimi i saktë i ligjeve dhe akteve nënligjore, si dhe do të shqyrtohen ligjet e mëhershme që nuk janë përkthyer saktë në të dy gjuhët zyrtare të Kosovës.

Ambasadori Kolly ka uruar për fillim të mbarë të procesit për krijimin e Njësisë dhe ka mirëpritur veprimet e ndërmarra deri tani për krijimin e vendeve të reja të punës brenda Njësisë.

Ambasadori Davenport ka përgëzuar kryeministrin për interesimin dhe angazhimin e tij personal për të siguruar përdorimin e gjuhëve zyrtare.

Gjithashtu, ambasadori Davenport e ka lavdëruar hapjen e Programit të Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës, si shembullin e vetëm në rajon ku studiohen gjuhët e Ballkanit, e që sipas tij, është mundësi shumë e mirë për trajnimin e kuadrove të ardhshme të përkthimit cilësor nga studentët që studiojnë gjuhën shqipe dhe ata që studiojnë gjuhën serbe./Shqip.com