Lajme

Kurti në Mynih: Serbia t’i hap arkivat, bëri gjenocid në Kosovë

Kryeministri, Albin Kurti gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Gjermani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje edhe njëherë Serbisë që t’i hapë arkivat shtetërore.

Ai, në Konferencës e Sigurisë në Mynih, ka thënë se krimet serbe të kryera në Kosovë ishin krime shtetërore.

“Në panelin e Konferencës së Sigurisë në Mynih: ‘Të humbur në tranzicion: Sfidat dhe perspektivat e llogaridhënies dhe drejtësisë tranzicionale’ i bëra thirrje Serbisë që të hapë arkivat shtetërore sepse krimet e kryera në Kosovë ishin krime shtetërore”, ka shkruar Kurti në Twitter.

“E kaluara nuk ka kaluar ende, meqë krimet e luftës dhe gjenocidi janë ende të mohuara”, shkroi Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla po qëndrojnë në Mynih të Gjermanisë, ku po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë.

Krerët shtetërorë të Kosovës do të qëndrojnë në Gjermani për tri ditë gjatë të cilave do të zhvillojnë takime të ndryshme bilaterale./Shqip.com