Lajme

Kurti mirëpret vendimin për vizat, përmend sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka mirëpritur vendimin e sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, për ta dhënë dritën e gjelbër rreth liberalizimit të vizave.

Ai përmes një cicërime në Twitter, ka shkruar se ndonëse i vonuar ky është një vendim shumë i rëndësishëm.

“E mirëpres vendimin e sotëm të rëndësishëm dhe të vonuar nga COREPER për liberalizimin e vizave për Kosovën, një mirënjohje e përkushtimit tonë për sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migracionit. Mirënjohës ndaj Presidencës çeke dhe mezi pres finalizimin e këtij procesi”, ka shkruar Kurti.

Kujtojmë, se paraditën e sotme ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar që t’ia japin mandatin Këshillit të BE-së për të negociuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës, sipas propozimit të Këshillit, do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Në rast se ky sistem nuk hyn në fuqi, atëherë data e fundit e heqjes së vizave për kosovarët do të jetë më së largu më 1 janar 2024.

/Shqip.com