Lajme

Kurti merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në Mynih, nga sot deri të dielën do të mblidhen 40 krerë shtetesh dhe qeverish si dhe rreth 100 ministra.

Arsyeja është Konferenca e përvitshme e Sigurisë, ku këtë vit në fokus do të jetë agresioni rus në Ukrainë.

Hapjen e konferencës do ta bëjë përmes një video-fjalimi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërsa pjesëmarrës, përveç kancelarit gjerman, Olaf Scholz, do të jenë edhe shumë liderë të vendeve të fuqishme, nga zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris, presidenti i Francës, Emmanuel Macron e shumë të tjerë.

Vlen të theksohet se në këtë konferencë, për herë të parë në mbi 20 vjet nuk do të jetë pjesëmarrëse Rusia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të jetë pjesë e konferencës që ka filluar punimet ditën e sotme.

Aty pritet të jetë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pritet të ketë një takim sot në mbrëmje me Scholzin dhe Macronin, ku temë kyçe do të jenë raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

/Shqip.com