Kurti ironizon me deputetët e opozitës, i quan “studentë” që “morën leksion nga profesoresha e ekonomisë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të enjten ka replikuar me deputetët e opozitës, Abelard Tahirin dhe Ramush Haradinajn – lidhur me projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë akuzuar qeverinë për refuzimin e këtij projekti. Në anën tjetër, në replikën e tij, Kurti i ka quajtur “studentë të juridikut që folën për energjinë”.
Në fjalën e tij, Kurti është shprehur se ridestinimi i fondeve të parapara për projektin e gazsjellësit, nuk ka qenë kusht i Qeverisë, por mundësia që është ofruar nga MCC.
E më pas, ka thënë se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, “sot u ka mbajtur leksion tre juristëve”.
“Ajo që është shpresëdhënëse është se sot ministrja e Ekonomisë u dha leksion tre juristëve. Jo vetëm që e morën leksionin, por edhe kërkuan që t’i zgjatet fjala profesores së ekonomisë”.
“Është shpresëdhënëse, sepse në fund të semestrit tre studentë të juridikut do ta admirojë profesoren e ekonomisë”, ka thënë shefi i qeverisë.
Kurti më tej u është përgjigjur kritikave të disa deputetëve të opozitës të cilët e kanë quajtur “arrogant”, duke thënë se “nuk ka kryeministër tjetër që është përgjigjur në pyetje si unë”./SHQIP.com