Kurti: Hetimet po vazhdojnë, ende s’e kemi emrin e dorasit

U është dhënë lamtumira e fundit dy nxënësve, dhe shoferit të cilët mbeten të vrarë pas sulmit me armë në një autobus para dy ditësh në Gllogjan të Deçanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte i pranishëm në ceremoninë e varrimit të dy nxënësve të vrarë, shkruan Shqip.com.
Më pas, Kurti së bashku me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj kanë vizituar Stacionin e Policisë në Deçan, ku më pas është prononcuar për media së bashku me Drejtorin e Policisë, Samedin Mehmedi.
Kurti, ka thënë se informatat lidhur me vrasjen në Gllogjan janë duke u shtuar, mirëpo deri tani nuk kanë mundur ta gjejnë dorasin.
“Po rritet sasia e informacionit, por ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48-orëshit, ende nuk e kemi zgjidhjen. Por nuk po mungon angazhimi, është shtuar numri i zyrtarëve që po merren me hetimin e hulumtimin, në mënyrë që të sillet para drejtësisë vrasësi apo vrasësja. Edhe më tej kemi 2-3 pista. Momentalisht nuk e kemi të dyshuarin të pandehurin”, tha Kurti në një prononcim për media.
Më tej, Kurti shtoi se me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të rastit, informacionet sa vijnë e po shtohen.
“Po rritet sasia e informacionit që po marrim me hulumtimin e hetimin që po bëhet, edhe nga vendi i ngjarjes, e sidomos nga marrja në pyetje e dëshmitarëve. Por, nuk e kemi emrin ose emrat e përveçëm të vrasësit”, ka thënë Kurti.
Qeveria e Kosovës, ka bërë të ditur se ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për personin që jep informata që shpie në zbardhjen e rastit./Shqip.com