Kurti: Është e vështirë të procedoj me Asociacionin, Serbia s’po e nënshkruan dhe s’po e respekton marrëveshjen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se e ka të vështirë të procedojë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe kur Serbia nuk po pranon ta nënshkruajë marrëveshjen.
Kurti tha në një intervistë për mediumin amerikan, Bloomberg se Serbia e ka shkelur marrëveshjen e arritur para një viti dhe aneksin e zbatimit të dakorduar në Ohër në mars të vitit të kaluar.
“Kështu që për mua është shumë e vështirë të procedoj më tej kur ata nuk e nënshkruajnë marrëveshjen, nuk e respektojnë dhe në fund dërgojnë një letër ku thonë se nuk e respektojnë më”, tha ai.
Marrëveshja konsiderohet si ligjërisht obligative nga bashlësia ndërkombëtare, e cila e sheh si çështje urgjente themelimin e Asociacionit.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, tha para një jave se Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë draft-statutin e propozuar nga BE-ja dhe t’i hapë rrugë kështu dërgimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.
“Ne besojmë se kjo qeveri duhet ta miratojë, disi, draftin statutin e ofruar dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese në një mënyrë që Gjykata pajtohet që i jep asaj juridiksion, kështu që Gjykata më pas mund të zbatojë rishikimin e kushtetutshmërisë së tij, që është një hap i rëndësishëm në këtë proces”, ka thënë Hovenier për RTV21.
/Shqip.com