Lajme

Kurti e Abazoviq takohen për herë të parë, planifikojnë të mblidhen dy Qeveritë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeministri i Malit të zi, Dritan Abazoviq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar për herë të parë me kryeministrin e ri të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Takimi mes dy kryeministrave është zhvilluar në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti uroi Abazoviqin për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.

“Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, Kryeministri Kurti e falënderoi z. Abazoviq për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha. Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Zyra e Kryeministrit njofton se u diskutua edhe për çështje të tjera, që lidhen  me lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe tema të tjera.

“U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet. U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve. U bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, megjithatë nuk është hapur tema e demarkacionit, një çështje që ende diskutohet në Kosovë, por edhe në Mal të Zi.

Lexo edhe:
Abazoviq: Demarkacioni ka marrë fund

Theksojmë se Abazoviq, në një intervistë për Klan Kosova kishte thënë se çështjen e demarkacionit e konsideron çështje të mbyllur.

Më 28 prill,  Abazoviq mori besimin e 43 deputetëve për të qenë në krye të qeverisë.

Abazoviq është shqiptari i parë kryeministër në Malin e Zi.

Kabineti i ri ka 18 ministri dhe katër zëvendëskryeministra./Shqip.com