Kurti: Digjitalizimi është një nga objektivat kryesore të Qeverisë

Digjitalizimi është një nga objektivat kryesore në programin e Qeverisë së Kosovës dhe Agjenda Digjitale 2030 do të jetë pika kyçe e zhvillimit kombëtar, përcjell Shqip.com.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me Mirjana Spoljaric Egger, Ndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Situata me pandeminë theksoi nevojën e digjitalizimit sa më të shpejtë të shkollave tona. Prandaj, qeveria po punon për strategjinë e re për arsimin, me digjitalizimin si një nga shtyllat e strategjisë.

Digjitalizimi është një nga objektivat kryesore në programin tonë të qeverisë dhe Agjenda Digjitale 2030 do të jetë një nga pikat kyçe e strategjisë sonë të re të zhvillimit kombëtar”, tha Kurti.
Gjatë këtij takimi, Kurti ka folur edhe për planin e vaksinimit anti-COVID’19, duke theksuar përqindjen e lartë të qytetarëve të vaksinuar të moshës mbi 16-vjeçare.
“Duke folur për planin e vaksinimit dhe rimëkëmbjes lidhur me COVID-19, kryeministri Kurti theksoi përqindjen e lartë të qytetarëve të vaksinuar të moshës 16+, me rreth 60% të vaksinuar me të dyja dozat, gjë që e bën Kosovën lider në Ballkanin Perëndimor”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Sipas Zyres së Kryeministrit të Kosovës, gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për pakon e rimëkëmbjes ekonomike si pasojë e pandemisë “COVID-19”.
“Në takimi u diskutua gjithashtu mbi çështjet ambientale dhe veprimet e nevojshme që trajtojnë veçanërisht mbetjet, riciklimin, prodhimin e qëndrueshëm dhe përdorimin efikas të burimeve. U veçuan veprimet e qeverisë për të mbrojtur pasurinë natyrore të rajonit, për të luftuar ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, dhe për të siguruar sisteme të qëndrueshme ushqimore”, njofton tutje Zyra e Kryeministrit./SHQIP.com