Lajme

Kurti dhe Totaj diskutojnë për rrugën Prizren-Tetovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari Shaqir Totaj.

Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për një sërë çështjesh, përfshirë dy memorandumet e bashkëpunimit që tashmë i kanë Qeveria me Komunën, njëra për teleferikun dhe tjetra për rrugët lokale në Zhupë.

Në qendër të diskutimit ishte lidhja e Prizrenit me Tetovën, për çfarë është edhe marrëveshja e nënshkruar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut qysh nga shtatori i vitit 2021, aks ky të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për mbarë rajonin, si për qytetarët ashtu edhe për ndërmarrësit.

Po ashtu, ai tha se kryetarin Totaj e ka njoftuar se në javën që vjen do të dërgojnë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024.

“Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtoj rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme edhe për aktualitetin, por që kanë përplot histori, kulturë e art, siç janë Prizreni e Tetova”, tha Kurti.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se ndihet mirë për një qasje shumë konstruktive dhe shumë pozitive karshi projekteve me interes nacional, derisa theksoi se si Komunë zotohen që për çdo gjë që ka nevojë dhe kanë mundësi të kontribuojnë, do të jenë të gatshëm që të kyçen në mënyrë konstruktive që të lehtësojnë dhe të mundësojnë realizimin e këtij projekti.

/Shqip.com