Lajme

Kurti: Brenda mandatit synojmë t’u sigurojmë banim 4 mijë familjeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Brenda mandatit, synojmë të krijojmë programin për banim social, si dhe të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje”.

Kështu deklaroi të enjten kryeministri Albin Kurti, duke shtuar se kjo do të arrihet përmes Programit të banimit social, i cili parashihet edhe në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025.

“Kjo do të arrihet përmes skemës “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120, përkatësisht 150 muajve”.

“Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, mirëpo kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit, i cili do të themelohet dhe ngarkohet me zbatimin e projektit”, tha Kurti të enjten, në hapje të tryezës së rrumbullakët për Programin e banimit adekuat social për Kosovë.

Ai shtoi se është detyrë e qeverisë që në një të ardhme të afërt të krijojë mundësi për çdo qytetar që ka nevojë, të ketë qasje në shtëpi të sigurt e me cilësi të mirë, me kushtet për jetë të dinjitetshme, zhvillim personal e profesional.

“Përtej sigurimit të infrastrukturës fizike, programi i banimit do të përcaktojë edhe rrugën tonë të përbashkët drejt qëndrueshmërisë shoqërore, ekonomike dhe mjedisore”, u shpreh shefi i qeverisë.

Tryeza e rrumbullakët u organizua nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, në partneritet me UN Habitat-in Kosovë dhe mbështetur nga CEB.