Kurti: Borelli ka ndryshuar deklaratën, ne nuk kemi lëvizur nga qëndrimet tona

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ka thënë se deri te arritja e marrëveshjes me Serbinë për targat ka ardhur si pasojë e ndryshimit të deklaratave nga Josep Borell.
Sipas tij kjo nuk është marrëveshje vetëm për targat, por është shumë më e rëndësishme dhe arritje e madhe për shtetin e Kosovës.
“Të hënën në mbrëmje është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët dhe fjala Francë-Gjermani nuk ka qenë askund, pos çështja e targave. Ata që thonë që ajo nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën nuk e dinë për çfarë po flasin.
Nuk është marrëveshje, është dakordim. Është deklaratë e Borrellit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë është ndryshuar deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë”, ka thënë Kurti para deputetëve në Kuvend.
Tutje, ai ka thënë se 18 gushti është data më e rëndësishmë në këto dy vite sa i përket procesit të dialogut.
Për kryeministrin Kurti, kryediplomati evropian, Josep Borell, më 18 gusht e ka bërë një kontribut të çmuar sepse e ka strukturuar dialogun me kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.
“Me 18 gusht, Borrell ka bërë një kontribut të çmuar sepse e ka strukturuar dialogun me pikën e parë – korniza e përgjithshme e marrëveshjes, mendoj që 18 gushti është data më e rëndësishme në këto dy vite sa i përket procesit të dialogut, pika e dytë – çështjet aktuale. S’mund ta evitojmë pikën e dytë, çështjet aktuale edhe pse nganjëherë duket se janë teknike, meqë lidhen me paqen dhe sigurinë”, ka theksuar Kurti.
Po ashtu Kurti ka shtuar se të hënën më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët i cili ka pasur 95 fjalë, dhe fjalët Francë e Gjermani s’kanë qenë askund.
“Të hënën më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët i cili ka pasur 95 fjalë, dhe fjalët Francë e Gjermani s’kanë qenë askund. Nuk i referohet propozimit franko-gjerman, përveç çështjes së targave te çështja e këtij propozimi. Nuk thuhet propozimi, por thuhet se do zgjidhet çështja e targave sipas atij propozimi, pa thënë franko-gjerman, 95 fjalë. Ndërsa, kjo mbrëmë që u dakordua i ka 194 fjalë” ka thënë Kurti.
Të gjitha zhvillimet rreth marrveshjes se arritur gjeni ne permbledhjen LIVE
/Shqip.com