Lajme

Kurti: Asociacioni nuk do të formohet, marrëveshja finale në dy vitet e ardhshme

“Autoritetet e Kosovës nuk do të lejojnë vakum në veri të vendit dhe se zgjedhjet në katër komuna duhet të mbahen, por gjithashtu hedhim poshtë mundësinë e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një prononcim dhënë agjencisë austriake APA.

Sipas Kurtit, vendet e lira të punës që janë krijuar pas tërheqjes së serbëve nga institucionet, duhet të plotësohen dhe se nuk mund të pritet më shumë për kthimin e tyre.

“Do të duhet të organizojmë zgjedhje të reja për pozitat e katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se sa i përket 10 deputetëve të Listës Serbe, pozitat e tyre duhet të plotësohen nga të tjerët.

I pari i ekzekutivit thekson se vetëm “një pakicë ekstremiste në mesin e serbëve” qëndron pas protestave në veri, ndërsa shumica dërrmuese prej 90 për qind e serbëve të Kosovës kanë ndërruar targat e tyre dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë incident apo ankesë.

Kurse, për sa i përket Asociacionit, formimin e së cilës, siç thekson APA, e kanë kërkuar prej kohësh SHBA-të dhe BE-ja, Kurti e ka hedhur poshtë si mundësi.

“Vitin e kaluar unë erdha në pushtet dhe paraardhësit e mi e nënshkruan atë dokument, me të njëjtët njerëz që janë edhe sot në pushtet në Serbi, pse nuk e formuan atëherë?”, ka thënë Kurti.

“Asociacioni bie ndesh me kushtetutën tonë sepse baza e Kushtetutës së Kosovës është multietniciteti i shtetit, me pretendime se kërkesat për një autonomi të tillë nuk vijnë nga popullata shumicë serbe në Kosovë por, vetëm nga Beogradi.

E kjo bëhet për të kompensuar humbjet që ka pësuar gjatë luftës në kohën e Sllobodan Millosheviqit”, ka thënë kryeministri Kurti.

Sa i përket marrëveshjes finale me Serbinë, Kurti është shprehur se e ka besimin që në dy vitet e ardhshme do të ketë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

“Jam shumë optimist sepse me presidentin amerikan Joe Biden në Uashington dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin, ka një shans të mirë për të arritur një marrëveshje”, është shprehur Kurti.

/Shqip.com