Kryqi i Kuq provon përsëri të ndihmojë në Mariupol

Një kolonë e Kryqit të Kuq do të përpiqet sërish të evakuojë civilët nga porti i rrethuar i Mariupolit të shtunën, ndërsa forcat ruse dukeshin se po rigrupoheshin për sulme të reja në Ukrainën juglindore.
I rrethuar që në ditët e para të pushtimit pesë-javor të Rusisë, Mariupol ka qenë objektivi kryesor i Moskës në rajonin juglindor të Ukrainës, Donbas.
Dhjetëra mijëra atje janë të bllokuar me akses të pakët në ushqim dhe ujë, raporton Reuters.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) dërgoi një ekip të premten për të udhëhequr një kolonë prej rreth 54 autobusësh ukrainas dhe automjete të tjera private jashtë qytetit.
Por, ata u kthyen prapa duke thënë se kushtet e bënin të pamundur vazhdimin.
“Ata do të përpiqen përsëri të shtunën për të lehtësuar kalimin e sigurt të civilëve,” tha “ICRC” në një deklaratë.
Një përpjekje e mëparshme evakuimi nga Kryqi i Kuq në fillim të marsit dështoi.
Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për korridoret humanitare gjatë luftës që kanë lehtësuar evakuimin e mijëra civilëve.
Lufta po zhvillohet në ditën e 38-të të saj, që prej se filloi më 24 shkurt të këtij viti. /Shqip.com