Lajme

Kryeziu: Institucionet e Kosovës u ballafaquan me sulm kibernetik nga jashtë

ilustrim

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka bërë të ditur se dje dhe sot ka pasur probleme të kohëpaskohshme me shërbimin e internetit në Institucionet e Republikës së Kosovës për shkak të sulmeve kibernetike.

Sipas tij sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë.

“Është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të Institucioneve të Republikës së Kosovës. Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, gjegjësisht ekipi i sigurisë kibernetike, ka ndërmarrur veprime konkrete me qëllim të tejkalimit të këtij sulmi kibernetik dhe kthimit në funksion të shërbimit të internetit”, ka deklaruar ai.

Tutje ai ka deklaruar se për momentin, gjendja është stabile – shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale dhe të qasshme./SHQIP.com